Të gjithë ata që posedojnë një makinë me timon në krah të kundërt, do të duhet të ndryshojnë sa më parë sistemin e drejtimit, pasi në të kundërt do të bllokohen nga Policia Rrugore.
Ky është paralajmërimi që jep kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe. “Çdo targim i bërë nga çfarëdolloj bakshishi apo shoku, apo është targuar pas 21 marsit 2015 dhe qarkullon ende në rrugë me timon anglez konsiderohet në shkelje flagrante të Kodit Rrugor. Makina bllokohet, futet në alert, futet në listën e zezë, nuk do kalojë dot kolaudimin”.
Të penalizuar nuk do të jenë vetëm ata që kanë shpenzuar për të blerë një makinë të tillë, por edhe ata që i kanë targuar e deri te kolauduesit. Atyre do t’u kushtojë së pari vendin e punës, por edhe do të përgjigjen përpara drejtësisë për shkeljen e ligjit. “Të gjithë ata që vazhdojnë të abuzojnë në këtë mjet si në momentin e parë të targimit deri sot nëse i ofrojnë shërbim në mënyrë të paligjshme, janë subjekt i kallëzimit për ndjekje penale”, nënvizon kreu i DPSHTRR-së, Gonxhe, duke shtuar se masat e para janë marrë tanimë.
“Tashmë, vetëm në muajt e parë të kolaudimit, ne kemi kapur shumë raste. Vetëm javën e shkuar ne kemi njoftuar për largim nga detyra 10 punonjës të DPSHTRR-së, të cilët në vite të ndryshme kanë abuzuar me mjetet të cilat sot janë në rrugë me timon anglez në kundërshtim të hapur me ligjin. Këta njerëz do humbin vendin e punës, do përballen me organet e drejtësisë. Auditi po punon me evidentimin e këtyre mjeteve”. Nga janari i 2015-ës, në Shqipëri ka hyrë në fuqi Kodi i ri Rrugor që ndalon hyrjen e automjeteve me timon në krah të kundërt, apo siç thuhet ndryshe, anglez. Kodi parashikonte ndalimin e tyre që në doganë e më pas regjistrim.
Përjashtim bëjnë automjetet që janë blerë përpara dhjetorit të 2014-ës, kur u dha paralajmërimi për hyrjen në fuqi të rregullave të reja ndaluese. Në 2018-ën, pati një përpjekje për ta hequr kufizimin pas letrës nga një eurodeputet anglez në Komisionin Europian, e cila nuk u mor në konsideratë. Vetëm në dy muajt e fundit, në Shqipëri janë evidentuar 15 raste të automjeteve të tilla të kolauduara pas 2015- ës. Sipas ligjit për Kodin Rrugor që prej marsit të vitit 2015, në Shqipëri nuk lejohet importi i automjeteve me timon anglez, po ashtu as qarkullimi i tyre në rrugë, pasi sipas ekspertëve, ato janë bërë shkak për aksidente rrugore.
