Në blloqet e banimit në kryeqytet nuk do të jepen më leje zhvillimi aktivitetesh që gjenerojnë zhurmë, përfshirë edhe lavazhet, apo serviset e makinave, të cilat do të zhvendosen, si në çdo qytet perëndimor, larg zonave të banuara. Bashkia e Tiranës do të jetë bashkia e parë që do të disiplinojë dhënien e lejeve të tipit C për subjekte të tilla, por gjithashtu do të menaxhojë edhe zhurmat e trafikut dhe do krijojë një hartë të zonave të gjelbra akustike. Lajmi u dha nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj gjatë një dëgjese të zhvilluar me ministren e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, dhe përfaqësues të institucioneve të përfshira në hartimin e Planit Lokal të Veprimit mbi Zhurmat për Bashkinë e Tiranës, si një mënyrë për të përmirësuar cilësinë e jetës në kryeqytet.
Kreu i Bashkisë tha se për një kryeqytet europian nuk mjafton pastrimi fizik dhe ka ardhur koha të nisë edhe pastrimi akustik. “Do jemi bashkia e parë që do plotësojë vakuumin që kemi me lejet e tipit C – pra, do të emetojmë një leje bashkiake për ushtrim aktiviteti, për ku dhe në çfarë zone, gjë që me shumë gjasë do bëhet etalon edhe për bashkitë e tjera. Nuk do të lejojmë dhe nuk do të japim më leje për lavazhe poshtë pallatit; nuk do të lejojmë më servise e gomisteri poshtë pallatit; nuk mund të ketë disko poshtë pallatit. Duhet të kuptojmë se po drejtojmë një qytet ku, siç është rritur vlera e pronës nga pastrimi fizik, ashtu do vazhdojë t’i rritet vlera pronës edhe nga pastrimi akustik,” nënvizoi Veliaj.
Ai shtoi se në funksion të këtij plani do t’i jepen kompetenca të plota të gjithë punonjësve nën uniformën e Policisë së Shtetit apo bashkiake.
Objekt i këtij plani të veprimit janë: aktivitetet e shërbimit social dhe kulturor, si: klube nate, bare, restorante, disko; sektori i transportit rrugor, ajror, ujor dhe hekurudhor; si dhe aktivitetet ekonomike që përdorin pajisje dhe makineri që gjenerojnë zhurma, si sharra, elektromotorë, gjeneratorë, çekiçë pneumatikë, etj.
