Rreth 100 pasagjerë me pasaporta të Kosovës nuk janë lejuar të premten, më 17 dhjetor, të udhëtojnë për në Itali, ka njoftuar zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara.
Ajo tha për Radion “Evropa e Lirë” se këta qytetarë janë ndaluar për shkak të masave të reja anti-Covid të marra nga qeveria italiane.
“Ne vazhdimisht kërkojmë nga udhëtarët që para se të udhëtojnë t’y referohen rregullave të fundit të shtetit për ku ata udhëtojnë. Udhëtarët që sot (17 dhjetor) nuk janë lejuar të regjistrohen në sportel, u qartësuan se ndodhi për shkak të ndalesave të reja të shtetit italian. Këto masa janë publikuar në web-faqen zyrtare të Ambasadës së Italisë në Kosovë”, tha Gara në një përgjigje me shkrim.
Gara shtoi se udhëtarët, çdo ankesë të tyre duhet ta dërgojnë në kompaninë ajrore me të cilën kishin planifikuar udhëtimin.
Qytetarët e Kosovës, nga janari i vitit të ardhshëm, mund të mos lejohen të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian, pasi Blloku nuk i njeh ende certifikatat e vaksinimit kundër koronavirusit, të lëshuara në Kosovë.
Kosova, bashkë me Bosnje e Hercegovinën, mbeten dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor, të cilave BE nuk ua njeh certifikatat e vaksinimit. /REL
