Sinjalet për variantin “Omicron” të Covid në vendin tonë janë evidentuar që më 5 dhjetor.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, dha detaje për identifikimin e këtij varianti.
Tomini theksoi se bëhej fjalë për persona që kishin pasur kontakte me kontaktin primar në Kroaci. Sipas saj, dy të infektuarit nuk janë hospitalizuar.
“Të gjitha mostrat e dyshuara janë dërguar përkatësisht gjatë kësaj periudhe. Që nga data 5 dhjetor është marrë sinjal mbi disa raste të dyshuara, kontakte të rastit primar të identifikuar në Kroaci. Është kryer njëherë hetimi epidemiologjik nga specialistët e terrenit me informacionet që u konfirmuan për rastin kontakt. Raste kanë qenë 4 të vaksinuar me të dy dozat, një i shëruar dhe një rast vetëm me një dozë. Pas hetimit u evidentua edhe një rast tjetër që ishte po pjesë e takimit. Rasti ishte i izoluar. Kishte pasur shenja të mëparshme. Nuk janë raste të hospitalizuar. Kontaktet e ngushta rezultuan ‘Omicron”, tha zonja Tomini.
Shefja e ISHP theksoi më tej që, nëse do të kishte edhe më shumë raste me variantin e ri, do ishin reflektuar.
“Prania e dy rasteve të para, nga ana shkencore, ka vlera sinjifikative. Por kjo nuk do të thotë se prezenca e tyre është përgjithësuese edhe për situatën aktuale. Do të kishim reflektim të pozitivitetit. Supozohet që kontaktet fillestare të kenë qenë në javën e fundit të nëntorit”, shpjegoi Tomini.
