Naxhije Shkreta, një qytetare nga Durrësi tregoi si ka rënë pre e mashtrimit nga shtetasi Fisnik Syla. Ky i fundit i premtoi vend pune për djalin në Belgjikë, por si fillim duhet të bëheshin dokumentet e për këtë familja Shkreta duhet të paguante 10 500 euro. Paratë u dhanë, po nuk u bënë as puna, as dokumentet e as shuma nuk u kthye mbrapsht.
Naxhije Shkreta: Jam drejtuar “Stop”-it për një mashtrim ose më saktë kemi rënë pre e një mashtrimi familjarisht nga biznesmeni Fisnik Syla për të dërguar djalin në Belgjikë me letra të rregullta. Fillimisht u njoh im bir në ‘Instagram’. Pasi u takuam, na kërkoi një shumë të hollash që ishte deri në 20 mijë euro. Pastaj erdhi gradualisht duke e ulur. Në momentin që tha duhen kaq dhe aq, unë kam qenë dërguesja e lekëve. Pagesa ka qenë për letrat, sepse personi në fjalë nuk mund ta mbante tim bir pa letra në punë, ngaqë sipas rregullave të shtetit bleg nuk mund të figurosh në punë pa letra. Shuma shkoi 10.499 euro. Letrat dhe faturat i kam këtu. Dërgesat i kam bërë unë personalisht. Tani që flas, nuk kam asnjë zgjidhje.
Emisioni “Stop” kontaktoi në telefon me zotin Syla, i cili mohoi që të kishte lidhje, apo dijeni për këtë ngjarje. Ai tha se do e verifikojë situatën. Por për habi, pak ditë pas telefonatës nga “Stop”, paratë u kthyen në llogarinë e familjes Shkreta.
