Sipas një sondazhi të ri, infermierët e rraskapitur dhe të mbingarkuar nga pandemia, po vazhdojnë të punojnë rregullisht me turne 12-orëshe për të mbajtur në këmbë Shërbimin Kombëtar Shëndetësor (NHS) në Britaninë e Madhe.
Sondazhi, i cili përfshiu 9 000 infermierë, zbuloi se shumë po mendojnë të lënë punën pasi janë të pakënaqur me cilësinë e kujdesit që mund të ofrojnë për shkak të personelit të pamjaftueshëm.
“Infermieria nuk është një akt heroik, një akt vetëmohues apo një thirrje. Infermieria është një profesion themelor i sigurisë, thelbësor për shoqërinë dhe i merr përgjegjësitë e saj shumë seriozisht. Provat e përfshira në këtë raport tregojnë se shumë prej anëtarëve tanë tani e shohin të patolerueshëm presionin mbi ta”, theksoi Pat Cullen, shefi ekzekutiv i RCN-së.
Sondazhi, u krye në tetor përpara se të dilte varianti Omicron dhe zbuloi se tre në katër infermierë (74%) raportojnë se punojnë rregullisht me turne të tepërta, më shpesh të papaguara.
Shumë infermierë deklaruan se punojnë me turne 12-orëshe dhe një e treta nuk kanë marrë pushimet vjetore, ndërsa besojnë se kjo është e dëmshme për shëndetin dhe mirëqenien e tyre.
Ndërkohë, përballë mungesës së stafit dhe presionit të ngarkesës së punës, 68% thanë se ndihen shumë të presionuar në punë dhe 62% janë shumë të zënë për të ofruar nivelin e kujdesit që do të dëshironin.
