Disafishimi i rasteve me coronavirus gjate janarit i atribuohet qarkullimit të variantit Omicron. Nga qendra shëndetësore e Borizanës, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se tashme ky variant është bërë mbizotërues dhe pse ende ka prani të Deltës.
“Kemi një situatë që paraqitet me një rritje të incidencës sa i përket rasteve Covid-19. Është vënë re qe ka një përqindje të lartë të qarkullimit Omicron dhe nga informacionet që vijnë nga ISHP ka një përqindje të theksuar të qarkullimit të Omicron kundrejt variantit Delta që ka qenë më parë. Kjo do të thotë që duhet të jemi të kujdesshëm sepse rritja e numrit të infektimeve sigurisht shkakton edhe rritje të numrit të personave të cilët mund të shtrohen në spitale”.
Ministrja e Shëndetësisë siguroi se në të gjitha qendrat shëndetësore po kryhet testimi i shpejtë për kapjen e hershme dhe izolimin e rasteve.
“Në qendrat tona shëndetësore ofrohet edhe testimi i shpejtë i antigenit dhe është një testim, i cili ndihmon shumë mjekun e familjes për të bërë verfikimin apo diagnozën diferenciale dhe për të ndjekur në vijim pacientët e prekur nga Covid-19, në mënyrë që të luajmë atë rol që nevojitet në raport me kujdesin që shëndetësia duhet të ofrojë për çdo qytetar qoftë në sistemin ambulator apo në trajtimin në shtëpi por gjithashtu edhe për të referuar në momentin e duhur pranë strukturave tona spitalore dhe spitalet Covid”.
Ministrja e theksoi se pozitiv është fakti se shtimi I rasteve me koronavirus nuk është shoqëruar me rritje të numrit të shtrimeve ne spitale.
