Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Presidentit Ilir Meta, i cili kërkoi përjashtimin nga procesi i anëtarëve të kësaj gjykate me pretendimin se janë të njëanshme. Kërkesa për mandatin e Vitore Tushës është rrëzuar.
Presidenca pretendonte se ajo vijon mandatin e saj nga 2018-ta e deri më tani jashtë afateve. Lidhur me pretendimin tek afatit 9-vjecar në detyre të Tushës, sipas Kushtetueses shkaqet janë të pabazuara në Kushtetutë. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese ka sjellë argumentet e saj secilin anëtar të trupës gjykuese. Konkretisht për gjyqtaren Marsida Xhaferrllarit, Kushtetuesja vendosi që kërkesa e Presidencës, për përjashtimin e saj nga trupa, është haptazi e pabazuar. E njëjta gjë është vendosur edhe për gjyqtaret Fiona Papajorgjin dhe Elsa Toska.
Po ashtu, Meta kërkoi edhe përjashtimin si relator të çështjes së Përparim Kalos, kërkesë të cilën Gjykata e rrëzoi. Kushtetuesja po ashtu ka rrëzuar edhe kërkesën për përjashtimin e Sonila Bejtjas. Lala raporton se vendimi për rrëzimin e kërkesave paraprake të presidentit është marre unanimisht. Pasi kryetarja e kësaj gjykate i ka dhënë fjalën relatorit Përparim Kalo, ky i fundit është ndërprerë nga këshilltari ligjor i Metës, Bledar Dervishaj.
Përfaqësuesit e Metës po bëjnë kërkesë të re paraprake që lidhet me përfaqësuesin e Kuvendit në seancë. Gjatë fjalës së tij Dervishaj tha se “Legjislatura e Kuvendit ka mbaruar në shtator 2021 dhe ka filluar legjislatura e re. Presidenti e konsideron jolegjitime praninë e përfaqësuesve të Kuvendit”.
Sipas përfaqësuesit ligjor të Metës, tashmë është legjislaturë dhe përbërje e re në Kuvend. Ndërkohë, pretendimit të Dervishajt i është përgjigjur përfaqësuesja e Kuvendit, Klotilda Bushka, e cila theksoi se ky argument nuk qëndron. “Pretendimi nuk qëndron, pasi Kuvendi ka vijimësi. Vendimet e marra vijojnë. Një vendim i Kuvendit kurrsesi nuk behet nul se janë bërë zgjedhje te reja. Nëse vendimet e Kuvendeve te mëparshme bëhen nul, atëherë edhe Ilir Meta nuk është me president se duhej konfirmuar nga legjislatura e re.”, tha ajo. Pas disa minutash diskutime, Gjykata Kushtetuese është tërhequr për të vendosur nëse përfaqësuesit e Kuvendit janë ose jo legjitime.
