Danimarka të martën bëhet vendi i parë i Bashkimit Evropian që heq të gjitha kufizimet e saj për Covid, pavarësisht numrit rekord të rasteve, duke u mbështetur në shkallën e lartë të vaksinimit për të përballuar variantin më të butë Omicron. France24 shkruan se pas një përpjekjeje të parë për të hequr të gjitha kufizimet e tij midis shtatorit dhe nëntorit, vendi skandinav po heq sërish maskat e fytyrës, lejet për Covid dhe orët e kufizuara të hapjes për baret dhe restorantet.
Klubet e natës rihapen të martën, kur kufizimet në numrin e njerëzve të lejuar në tubime të brendshme gjithashtu marrin fund. Vetëm disa kufizime mbeten në fuqi në kufijtë e vendit, për udhëtarët e pavaksinuar që vijnë nga vendet jashtë. Lehtësimi vjen pasi Danimarka regjistron rreth 40,000-50,000 raste të reja me Covid në ditë, ose pothuajse një për qind e 5.8 milionë banorëve të vendit.
Më shumë se 60 përqind e danezëve kanë marrë një dozë të tretë — një muaj përpara planit të autoriteteve shëndetësore — krahasuar me një mesatare të BE-së prej pak më pak se 45 përqind. Përfshirë ata që kanë pasur së fundmi Covid, autoritetet shëndetësore vlerësojnë se 80 për qind e popullsisë është e mbrojtur nga format e rënda të sëmundjes.