Aktorja e njohur e Teatrit “Migjeni” në Shkodër, Rita Gjeka, ka marrë pjesë në një takim që zhvilloi sot ish-kryeministri Sali Berisha me intelektualë të këtij qyteti.
Aktorja përmendi gjatë takimit shqetësimin e pagave për artistët dhe tha se me skandalin e publikimit të rrogave të shqiptarëve, “më tha vajza nuk ke turp që rri gjithë ditën në Teatër për 500 mijë lekë”.
“Ngaqë kanë dalë këto rrogat na vjen marre se vajza kur e pa më tha nuk të vjen marre që rri gjithë ditën në teatër e merr 500 mijë lekë? I kemi më të vogla se mësuesit pagat, por ndihemi më të rëndësishëm se mësuesat se edukojmë jo një brez, por disa”.
Aktorja tha se të rinjtë për shkak të pagave të ulëta po shtyjnë dhe planet për martesë.
“Nuk e di si do zgjidhet kjo punë me ato rroga se ne jemi vërtet për bukë. Unë mundem mos me fol krejt për vete por ja ky djalë s’martohet, ky s’ka lekë prap me u martu, s’kanë lekë, janë rrogat shumë të vogla duhet me e mendu mirë këtë punë Bardh”, tha aktorja.
