Protestën e kësaj të shtune, 16 mars, e kanë pasqyruar edhe media e huaja. Ndër to “Al Jazeera”, e cila përmes gazetarit të saj e ka ndjekur nga afër të gjithë zhvillimin e kësaj proteste të radhës, të organizuar nga PD dhe LSI, ndërsa ka shkëputur edhe një prononcim të shkurtër nga Lulzim Basha si dhe nga Taulant Balla.
Në këtë reagim, kreu i selisë blu është shprehur se Edi Rama duhet të tërhiqet dhe t’i hapë rrugë një qeverie tranzitore.
“Zoti Rama duhet të tërhiqet, dhe ne besojmë në një qeveri tranzitore me njerëz që nuk janë të lidhur me krimin e organizuar. Ne u bëjmë thirrje të gjitha forcave politike që të përmbushin një mision kryesorë, dhe t’i japin fund praktikës së vjedhjes së votave dhe të heqin duart nga sistemi i drejtësisë, në mënyrë që prokuroria të nisë menjëherë hetimin e politikanëve për lidhjet e tyre me krimin e organizuar në zgjedhjet e kaluara elektorale”, u shpreh Basha.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar i PS, është shprehur se kjo protestë e opozitës nuk është kundër qeverisë, por ata janë kundër reformës në drejtësi dhe institucionit të ri që po krijohet, (SPAK).
“Protestat e opozitës nuk janë kundër nesh, ata nuk kanë asgjë kundër nesh por janë kundër reformës në drejtësi dhe të sistemi të ri të drejtësisë që po krijohet”, ka thënë Taulant Balla.
Ndërkaq gjatë kronikës së “Al Jazeera”, thuhet se gjatë kësaj proteste, ka pasur përplasje të forcave të policisë me protestuesit, të cilët tentuan që të hyjnë në Parlament, “për t’u përballur me një qeveri që ata e akuzojnë si të korruptuar”.
“Ata gjithashtu shprehen se kryeministri i vendit, Edi Rama është i lidhur me krimin e organizuar, akuza të cilat ai i ka hedhur poshtë, duke i cilësuar si ‘qesharake’”, shkruan “Al Jazeera”. /
