Eliminimi nga Liga e Kampioneve ka zhytur në kaos të plotë PSG-në dhe tani mediat franceze flasin për një krizë në radhët e skuadrës. Situata është përkeqësuar së fundmi duke nxjerrë në plan të parë të gjitha problemet që ishin kamufluar nga rezultatet.
“RMC” bën të ditur se ekipi është ndarë në dy grupe, me amerikano-jugorët nga njëra anë dhe francezët dhe frengjishtfolësit në anën tjetër. Situata përkeqësohet gjithnjë e më shumë aq sa pas humbjes 3-0, asnjë prej lojtarëve nuk mori mundimin të fliste në dhomat e zhveshjeve, as në udhëtimin e kthimit.
“Kur dikush i bën faull Nejmar, janë 5 lojtarë që i vërsulen gjyqtarit. Nuk ndodh e njëta gjë kur i bëhet faull Hakimit”, shpjegojnë për “RMC” burime pranë ekipit. Hakimi është një prej personave të afërt të Mbape në skuadër dhe lëvizja e sulmuesit në verë, mund t’i japë plotësisht kontrollin amerikano-jugorëve. Një situatë e pakëndshme pasi i njëjti burim sqaron se sa herë francezët ankohen për sjelljen e Nejmar & Co., përgjigja që marrin është se nuk janë të mirë sa ata në fushën e lojës.
Gjithçka duket se ka kaluar në kolaps dhe tani pritet të mësohet vendimi i drejtuesve nga Katari, të cilët janë mërzitur duke parë dështim pas dështimi në arenën ndërkombëtare.