Mbrëmjen e sotme, kodrat e fshatit Mimias në Berat janë përfshirë nga flakët. Konkretisht, zjarri ka rënë në pyllin me pisha që është në këtë zonë.
Në fillim, flakët janë pikasur nga banorët e zonës të cilët menjëherë kanë njoftuar zjarrfikësit me frikën se mos zjarri përhapet drejt bllokut të fiqve dhe vreshtave të cilat ndodhen shumë pranë pyllit me pisha.
Sakaq, punonjësit e Repartit të MZSh-së Berat kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, por terreni i vështirë dhe mungesa e rrugës ka bërë që ata të punojnë me mjete rrethanore e pompa uji shpine për ta vënë zjarrin nën kontroll, duke e përshkruar në këmbë rrugën drejt zonës së zjarrit. Nga ana tjetër, raportohet se zjarri vijon të përparojë, i favorizuar po ashtu edhe nga era.
Në fakt, kjo nuk është hera e parë që këto zona përfshihen nga flakët, pasi vetë banorët në këtë sezon pastrojnë barërat e thata duke u vënë flakën dhe në shumë raste zjarri u del jashtë kontrollit.
E ndërsa zjarri vijon të shkrumbojë ç’gjen përpara, mësohet se deri më tani janë djegur sipërfaqe të mëdha me pisha shekullore.
