UEFA i ka besuar një gjyqtari gjerman drejtësinë në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Turqisë, e cila nis eliminatoret e Euro 2020 për përfaqësuesen kuqezi. Dueli që luhet në fundjavë në “Loro Boriçi” do të jetë i rëndësishëm për ecurinë e dy përfaqësueseve dhe UEFA ka vendosur që sfida të drejtohet nga një “bilbil” i perspektivës.
Ndeshja i është besuar 37-vjeçarit Tobias Shtiler, i cili nuk ka shumë vite si gjyqtar i FIFA-s, vetëm 5, por ka bërë hapa të shpejtë para dhe tani po i besohen ndeshje më të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.
Në vitet e tij të para si gjyqtar i FIFA-s, një nga ndeshjet e para që ka gjykuar gjermani është ajo e Ligës së Europës mes Partizanit dhe Stromsgodset në Tiranë, që u fitua me shifrat 1-0 nga norvegjezët me një gol në minutat shtesë të sfidës. Alban Hoxha dhe Lorenc Trashi, të dy të grumbulluar me kombëtaren, ishin pjesë e të kuqve në atë duel.
Më pas ai ka filluar të drejtojë ndeshje gjithnjë e më të rëndësishme dhe në këtë edicion i ësht besuar në Ligën e Kampione ndeshja mes Juventusit dhe Jang Bojs, e fituar nga zviceranët me shifrat 2-1, si dhe dueli mes Rapid Vjenë dhe Inter në Ligën e Europës, i fituar 1-0 nga italianët.
Asistentë të tij do të jenë Mike Pikel dhe Kristian Gitelman, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Kristian Dingert. Ndryshe nga Liga e Kombeve, UEFA ka vendosur që në kualifikueset e Euro 2020 të mos ketë gjyqtarë ndihmës në vijën e portës.