Pas plasjes së skandalit të kontaminimit me bakterin e salmonelës ku u infektuan dhjetëra persona në Europë, Kompania “Ferrero” ka vendosur të mbyllë fabrikën e prodhimit të çokollatave “Kinder Surprise”.
Gjithashtu, autoriteti i sigurisë ushqimore në Belgjikë urdhëroi tërheqjen e të gjitha produkteve Kinder të prodhuara në fabrikën në Arlon, e cila është në pronësi të kompanisë “Ferrero”.
Rastet e dyshuara të salmonelës në çokollatën Kinder janë raportuar në shumë shtete të Europës, duke përfshirë këtu Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën dhe Belgjikën.
Lidhur me këtë skandal, kompania Ferrero ka kërkuar falje dhe ka marrë përsipër përgjegjësitë lidhur me dështimin në ruajtjen e standardeve të sigurisë ushqimore. Autoriteti i sigurisë ushqimore i Belgjikës, AFSCA, deklaroi se fabrika u urdhërua që të mbyllej pasi ajo nuk ishte në gjendje të jepte informacion të plotë për hetimin e saj dhe të tregonte se cili ishte shkaku që çoi në këtë skandal.
Hetimi ishte në vazhdim dhe fabrika do të lejohej të rihapej vetëm nëse Ferrero mund të jepte garancitë e nevojshme që ajo funksiononte në përputhje me rregulloret e sigurisë ushqimore, tha AFSCA.
Ministri belg i Bujqësisë David Clarinval tha në një deklaratë: “Një vendim i tillë nuk merret kurrë lehtë, por rrethanat aktuale e bëjnë të nevojshme. Siguria ushqimore e qytetarëve tanë nuk mund të neglizhohet kurrë.”
Tërheqja përfshin të gjitha produktet Kinder Surprise, Kinder Surprise Maxi, Kinder Mini Eggs dhe Kinder Schokobons. AFSCA u ka kërkuar gjithashtu kompanive që të heqin produktet nga raftet e tyre dhe i këshilloi njerëzit që të mos i hanë ato.
Të enjten, Ferrero tërhoqi disa nga çokollatat e saj Kinder nga dyqanet në SHBA për shqetësimet rreth ndotjes së mundshme me salmonelë. Në fillim të kësaj jave, një numër i produkteve të vezëve me çokollatë Kinder Surprise u tërhoqën gjithashtu në Mbretëria e Bashkuar.
Të gjitha ëmbëlsirat e infektuara me salmonelë ishin prodhuar në të njëjtën fabrikë belge.
