Këtë të enjte, Komisioneri për Zgjerimin i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi do të vizitojë Tiranën në kuadër të turit që ai ka ndërmarrë në Ballkanin Perëndimor. Varhelyi ishte dje në Shkup pasi kishte vizituar një ditë më parë Sofjen, ku nuk pati sukses në bindjen e autoriteteve bullgare për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut për integrimin në BE.
Theksojme se vizita e tij në Shkup po kalon pa ndonjë vëmendje të madhe. Autoritetet qeveritare maqedonase nuk publikuan axhendën e takimeve, e madje as vetë Komisioneri për Zgjerimin nuk dëshiroi të prononcohej para gazetarëve.
Ndërkohë, menjëherë pas takimit që pati me kryeministrin maqedonas, Komisioneri shkruajti në
“Twitter” për zotimet mbi vazhdimin e përpjekjeve për të filluar bisedimet para përfundimit të presidencës franceze me BE-në. “Nuk ka kohë për të humbur lidhur me shpejtimin e procedurave”, shkruan zoti Varhelyi.
“Kur e trashëguam bllokadën në bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, po ashtu trashëguam një rajon ku hendeku social dhe ekonomik midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit është një nga sfidat kryesore të këtyre vendeve në përpjekjet për t’u bërë pjesë e BE-së, pa përmendu këtu çështjen e reformave institucionale, të cilat duhet të bëhen”, tha zoti Varhelyi në konferencën e Sofjes.
Si duket, Bullgaria nuk po heq dorë nga kushtet e vëna ndaj Maqedonisë dhe së fundmi, qeveria në Sofje ka ritheksuar se Shkupi së pari duhet ta fusë pakicën bullgare në kushtetutë, në mënyrë që Bullgaria ta heqë veton për hapjen e bisedimeve në Bruksel.
Maqedonia e Veriut i konsideron këto si kërcënime dhe nënçmime, por nuk dëshiron nga ana tjetër të shkëputet nga procesi i lidhur i integrimeve në BE me Shqipërinë fqinje.
