Trajneri i kombëtares, Kristian Panuçi, ka dalë përpara mediave në kuadër të takimit që do të luhet ditën e nesërme me Turqinë. Tekniku italian i kombëtares sonë u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për sa i përket gjendjes së ekipit. Të pranishëm kanë qenë edhe gazetarë nga Turqia.
Çfarë keni parë nga skuadra këto ditë?
“Kanë punuar mirë. Është ambient mirë. Djemtë janë gati për ta luajtur këtë ndeshje. Të shikojmë nesër…”
Në 2018 Shqipëria shënoi vetëm 3 gola, si keni menduar ta përmirësoni këtë?
“Ka ardhur Sadiku, edhe pse nuk është mirë, kemi lojtarë që kanë bërë gola. Mjafton edhe 1 gol për të fituar ndeshjen. Kemi Sadikun, Balaj ka gjetur golin, kemi Grezdën dhe Abazajn gjithashtu”
Duke qenë ndeshja e parë, është e rëndësishme ndaj një kundërshtari të fortë. Çfarë mesazhi u keni dhënë? Ku keni menduar ta godisni? Pika e tyre e fortë?
Është e vërtetë që kanë një skuadër të fortë, por nëse lojtarët kundërshtarë janë në presion për 90 minuta, do të marrim një rezultat pozitiv. E dimë që është e vështirë, por shpresojmë.
Keni deklaruar më parë që do tentoni ta fitoni ndeshjen. Kush janë pritshmëritë konkrete? Me çfarë rezultati do ishit i kënaqur?
Unë jam pozitiv, dhe skuadra është e përgatitur. Ka kualitet, siç ka edhe Turqia. Jam i bindur që mund të arrijmë një fitore, por gjithçka mbetet për t’u parë nesër. Duhet të japim maksimumin në fushë.