Pas homazheve të bëra në “Varrezat e Dëshmorëve”, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka dhënë një prononcim për mediat ku foli sërish zgjedhjen e një presidenti përfaqësues për të gjithë.
Ai theksoi se raundi i parë i 16 majit pritet që të sjellë rezultate pas dialogut të bërë një ditë më parë me tre grupet parlamentare të opozitës, për tu dhënë shqiptarëve një president përfaqësues për të gjithë.
“Siç jeni në dijeni raundi i parë do të zhvillohet me 16 maj dhe koha është e mjaftueshme me premisën e mirë të nisur dje në konferencën e kryetarëve në një dialog të hapur dhe transparent me të tre grupet parlamentare të opozitës për ti dhënë Shqipërisë një president për të gjithë shqiptarët”, deklaroi Balla.
Kreu i grupit parlamentar socialist u pyet edhe nëse do të ishin dakord të miratonin një president nga PD-ja, ku mes të tjerash tha se nuk mund të jetë një president nga opozita siç ishte Ilir Meta një zgjedhje e gabuar.
“Një president nga opozita siç ishte Ilir Meta ishte zgjidhja më e gabuar, siç ne e kemi thënë se nuk duam një president nga Partia Socialiste. Mendoj që presidenti i mirë duhet që të pranohet nga të gjithë shqiptarët, sipas Kushtetutës që përfaqëson unitetin e të gjithëve”, u shpreh ai.
