Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike do të mblidhet ditën e sotme, sipas një njoftimi të Komisionit i Rithemelimit i dhënë nga Edi Paloka.
Ky Këshilli i ri Kombëtar u zgjodh më 30 prill, në Kuvendin e organizuar nga “Rithemelimi” dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Në njoftimin e djeshëm, Paloka bëri të ditur se Këshilli Kombëtar do të mblidhet në orën 18.00 dhe gjatë kësaj mbledhjeje do të zgjidhet edhe kryetari i këtij organi të Partisë Demokratike. Gjithashtu, ai tha se në këtë mbledhje do bëhet publik edhe qëndrimi për presidentin.
Ndërkohë, Kuvendi i 30 prillit duket se e ka thelluar edhe më shumë çarjen mes palëve në selinë blu, ndonëse pas 6 marsit pati tentativa dhe retorikë për bashkim.
“Rithemelimi” nuk e njeh Enkelejd Alibeaj si kryetar të grupit parlamentar, pasi votuan për ta shkarkuar në Kuvend. Për rrjedhojë deputetët që mbështesin këtë palë dhe që janë pjesë e komisionit bojkotuan dje mbledhjen e thirrur nga Alibeaj për të diskutuar çështjen e presidentit.
Edi Paloka tha se Këshilli Kombëtar është i vetmi organ që mund përcaktojë qëndrimin e unifikuar të Partisë Demokratike lidhur me zgjedhjen e kryetarit të ri të shtetit. Nga ana tjetër, Alibeaj tha se nuk do të ketë mbledhje të Këshillit dhe e cilësoi si institucion paralel.
