Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoj është shkarkuar nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi nuk mundi të kalojë dot procesin e vettingut.
Prokurori nuk ka arritur të justifikojë pasurinë e tij dhe sipas KPK, ai ka kontakte me personazhe të botës së krimit. Në këtë mënyrë, anëtarët e trupës gjykuese e shkarkuan atë në unison.
Sjellim në vëmendje se krahas akuzave publike të kryeministrit Edi Rama, Ndoj u bë i njohur për publikun në dhjetor të vitit 2019 kur ndaj makinës së tij u qëllua me armë, ndërsa plumbat lanë të vdekur shoferin e tij Andi Maloku.
Në seancën dëgjimore në KPK javën e kaluar pikërisht çështja e atentatit sollën debate mes tij përfaqësuesit të ONM-së Theo Jacobs. Ky i fundit i tha Ndojës së ai shoqërohej me personat e gabuar dhe se ishte fatkeqësi për shoqërinë shqiptare që një person me zgjuarsinë e tij të bënte këto veprime. Madje, duke shkuar edhe më tej, Jacobs i tha Ndojës se ai nuk do ta pranonte si pjesë të stafit të tij pasi kishte kontaktet të papërshtatshme.
Ndërkaq, Ndoj i konsideroi politike qëndrimet dhe sulmet ndaj tij, ndërkohë që kërkoi të kontrolloheshin tabulatet telefonike të kryeministrit Edi Rama, për të parë nëse ky i fundit po ashtu ka kontakte me persona të botës së krimit.
