Zv. Ministri i Brendshëm, Andi Mahila ishte sot në Fier ku vizitoi nga afër zyrat e Gjendjes Civile të këtij qyteti lidhur me shërbimet online. Gjatë kësaj vizite, Mahila bëri me dije se për moshat e treta, të cilët e kanë të vështirë që të përdorin teknologjinë, do të ofrohet një shërbim i posaçëm asistence.
Sipas zv. ministrit, punonjësit që deri dje ofronin shërbime fizike pranë sporteleve, tashmë do të jenë në shërbim të njerzve të cilët nuk munden të aksesojnë shërbimet online.
Asistenca, sipas zv.ministrit do të jetë gjithandej për qytetarët, në aksesimin elektronik të platformës e-Albania.
Gjithashtu, Mahila siguroi të gjithë qytetarët shqiptarë se me këtë revolucion teknologjik në shërbimet publike, ata kursejnë kohën dhe lekët dhe që nga ky moment institucionet shqiptare nuk kanë të drejtë t’i kërkojnë asnjë qytetari çfarëdolloj dokument, është vetë shteti që i siguron këto dokumente.
