Policia sllovene ka shkatërruar dy banda kriminale të të përfshira në trafikun e sasive të mëdha të drogave ilegale. Ata arrestuan 11 të dyshuar dhe sekuestruan disa kilogramë kokainë dhe kanabis dhe mbi 60.000 euro.
Ekipi mblodhi prova se një rrjet droge i drejtuar nga një shtetas shqiptar në Evropë po kontrabandonte sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut drejt vendeve evropiane. Media Slovenia Times, shkruan se kreu i grupit u vra në një restorant në Ekudador, në fillim të vitit 2022, konkretisht Ergys Dashi.
Sipas hetimeve, në Slloveni, Ergys Dashi është ndihmuar nga një tjetër shqiptar, i cili ndodhej në burg, si edhe nga partnerja e tij nga zona e Izolës. Ajo ishte përgjegjëse për mbështetjen logjistike dhe prokurimin e automjeteve me targa sllovene.
Ky rrjet furnizoi një pjesë të tregut të drogës në Slloveni, me një shtetas slloven që luante një rol kyç në këtë pjesë të operacionit të tyre.
Hetuesit mblodhën prova kundër 21 të dyshuarve të cilët dyshohet se kryen gjithsej 179 vepra të prodhimit dhe trafikimit të paligjshëm të drogës, duke përfshirë 7 të cilët u kapën në Slloveni, disa prej të cilëve tashmë ishin të hetuar më parë për trafik droge.
Sipas hetimit të parë, i cili përfundoi në fillim të prillit, policia sllovene sekuestroi, 2,300 gramë kokainë, 1,100 gramë kanabis dhe 30,000 euro para të gatshme. Në Itali, shifrat ishin dukshëm më të mëdha – më shumë se 80 kilogramë kokainë dhe shtatë kilogramë kanabis, me vlerë 4.5 milionë euro.
Policia zbuloi se një grup tjetër kriminal vepronte në zonën bregdetare të Sllovenisë dhe herë pas here punonte me bandën, anëtarët e së cilës u arrestuan në prill. Grupi i dytë furnizonte gjithashtu me drogë klientë nga Sllovenia dhe Italia.
Dashi në vitin 2014 është arrestuar nga policia italiane po për kultivim droge, si pjesë e një operacioni që çoi prapa hekurave 32 persona.Ai u ekzekutua më 22 janar në orën 19:00, kur një nga autorët hyri brenda lokalit me synimin për të ekzekutuar Ergys Dashin, ndërsa tjetri e priste jashtë me motor për ta larguar. Sipas mediave në Ekuador, dyshohet se Dashi ishte i përfshirë në trafikun e kokainës dhe se prishja e pazareve të drogës të jetë shkak i ekzekutimit të tij nga bandat rivale.
