Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në prezantimin e platformës “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismës “KURSE”, se aktualisht platforma përfshin mbi 200 artikuj, ndërsa synimi është që numri i tyre të arrijë në 1000 deri në fund të vitit.
“Kështu të gjithë, pa përjashtim, mund të kenë një pamje shumë të qartë të situatës së çmimeve në mënyrë të përditshme”, deklaroi Rama.
Kryeministri shpjegoi se subjektet tregtare do të përditësojnë çmimet në platformë, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi të informohen në kohë reale për nivelin e çmimeve dhe ndryshimet mes subjekteve të ndryshme.
“Subjektet nga ana e tyre përditësojnë çmimet në pasqyrë dhe qytetarët nga ana e tyre njihen në mënyrë konstante, në kohë reale, në cilin nivel janë çmimet dhe si variojnë ato nga një subjekt tek tjetri, brenda marzhit të diskrecionit që çdo subjekt ka në kushtet e ekonomisë së tregut”, u shpreh ai.
Rama theksoi se qeveria nuk mund të vendosë drejtpërdrejt çmimet, pasi Shqipëria ka zgjedhur sistemin e ekonomisë së tregut, ku ato përcaktohen nga konkurrenca.
“Ka shpeshherë thirrje ndaj nesh që të vendosim çmime. Këtë e kemi të pamundur ta bëjmë, sepse e kemi bërë një zgjedhje të gjithë bashkë si popull në vitin 1990, kur jemi ndarë nga sistemi që i vendoste vetë çmimet dhe kemi zgjedhur një sistem ku çmimet i vendos konkurrenca e lirë”, deklaroi Rama.
Ai nënvizoi se nisma mbështetet te konkurrenca e lirë dhe e ndershme, me synimin për të lehtësuar konsumatorët dhe për t’u dhënë atyre më shumë informacion përpara blerjeve.
“Besoj që ky do të jetë një lehtësim për konsumatorët”, u shpreh kryeministri, duke kërkuar edhe bashkëpunimin e subjekteve tregtare për promovimin e platformës.
Rama propozoi që hapësirat e përdorura nga bizneset për reklamimin e ofertave të shfrytëzohen edhe për të informuar qytetarët mbi “Pasqyrën e Çmimeve”, si dhe që ekranet informuese të vendosen në pikat kryesore të shitjes.
“Që njerëzit ta dinë, ta kuptojnë, të marrin informacion”, theksoi Rama, duke shtuar se qytetarët duhet të kenë mundësi të kontrollojnë se ku mund ta gjejnë produktin e dëshiruar me çmimin më të arsyeshëm.
