7-vjeçarja e ndjerë Jonada Avdia jetonte në Angli me familjen e saj, por në Shqipëri ku erdhi për pushime, ajo u godit për vdekje nga helika e një skafi të drejtuar nga një oficer policie, Arian Tase. Autori ishte jashtë detyrës, kur ajo po luante me babain e saj në zonën ekskluzive të notit, në një plazh në Himarë.
Në një kohë që qytetarët kërkojnë që Mirela Kumbaro të japë dorëheqjen si ministre e Turizimit, ajo thotë se Tase meriton ndëshkimin maskimal nga drejtësia. Kumbaro tha për Deutsche Welle se ngjarja erdhi pasi një person i papërgjegjshëm theu çdo ligj dhe rregull dhe për këtë arsye kërkoi dënim maksimal për të.
“Kemi të bëjmë me një ngjarje ku një person krejt i papërgjegjshëm ka thyer çdo ligj dhe rregull duke tejkaluar kordonin e sigurisë dhe bërë manovra të rrezikshme, i cili meriton ndëshkim maksimal”,-tha për DW.
Arrestimi i autorit dhe shkarkimi i menjëhershëm nga Policia e Shtetit i 15 punonjëve të policisë lokale që duhet të ruanin plazhin, nuk e kanë ulur shqetësimin e qytetarëve për sigurinë e jetës. Kumbaro flet për një paketë të re të rregullave.
“Ne po bëjmë gati paketën e rregullave të reja për normimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve turistike detare. Kemi kërkuar nga Policia e Shtetit dhe Policia Kufitare monitorim të rreptë të hapësirës ujore në plazhe si edhe ndëshkime maksimale për kundravajtësit”.
