“Bulqiza ka thesare nëntokë dhe flori mbi tokë”. Kështu do të shprehej gazetari i njohur sportiv Dëfrim Methasani teksa mederoi me profesionalizëm eventin e organizuar për shpalljen “Qytetare Nderi” të Bulqizës të kampiones europiane Luiza Gega. Fjala ishte se deri dje Bulqiza njohej si një zonë mineralmbajtëse, ndërsa tashmë ajo është ndërkombtarizuar me atleten e talentuar.
Qindra qytetarë kishin lënë shtëpitë dhe ishin tubuar në sheshin “Minatori” të zbukuruar hijshëm. Flamujt shqiptarë rrethonin mjedisin më të frekuentuar në qytetin verilindor. Vajzat e veshura bukur, me kostumet e trevës, hidhnin valle disa orë para mbërritjes së vajzës bulqizake. Daullja dhe veglat e tjera muzikore oshtinin deri në kupë të qiellit.
“Po presim vajzën tonë, ajo është larguar nga vendlindja, fshati Okshtun i Madh, kur ishte në klasën e dytë fillore. Ka qenë një vajzë çapkëne, e shkathët, e zgjuar. E dinim se një ditë do të bëhej e famshme”, u shprehën banorë të fshatit të largët që kishin ardhur për t’u përshëndetur me vajzën e tyre.
Lefter Alla, kryebashkiaku kishte lënë zyrën dhe po festonte me bashkëqytetarët. Në mesditë atletja kampione europiane mbërrin në qendër të qytetit. Kryetari i Bashkisë, deputeti Lavdrim Krashi, Prefekti i Dibrës Nexhbedin Shehu, kryetarja e Këshillit të Qarkut Dibër Valentina Haliti dhe qytetarë të shumtë e pritën si një idhull Luiza Gegën. Emocionet ishin të shumta dhe të forta. Disa prej të pranishmëve dhe sportistja nuk i mbanin lotët. Por, shpejt ajo u përfshi në atmosferën festive, u “lidh” me vajzat e Okshtunin, dhe hodhi valle popullore në vendlindje.
Pas një pritje të ngrohtë në mjediset e bashkisë Bulqizë ceremonia festive transferohet në Pallatin e Kulturës, ku salla ishte tejmbushur me qytetarë e të ftuar nga Tirana, Dibra, Mati, etj.
Gezetari Methasani i latoi mjaft mirë fjalët për vajzën që bëri histori në sportin e atletikës. “Bulqiza, u shpreh ai, ka shumë talente, në sporte të ndryshme, por princesha e të gjitha sporteve është kampionia europiane Luiza Gega. Ajo nderoi Shqipërsinë ne mes të Gjermanisë dhe për këtë të gjithë ndihemi krenar”.
Me fjalë të zgjedhura do të përshëndesnin dhe falenderonin kampionen Gega kryetari i Bashkisë Lefter Alla, deputeti Lavdrim Krashi, kryetarja e Qarkut Valentina Haliti, Prefekti i Dibrës Nexhbedin Shehu, presidenti i Federatës së Atletikës, sportistë, artistë, qytetarë të ndryshëm. Sa herë do t’i përmendej emri atletja do të emocionohej dhe do të ngrihej në këmbë për t’i falenderuar oratorët e shumtë.
“Titulli “Qytetar Nderi” për Luiza Gegën është nga më domethënësit që kemi dhënë deri më sot si Bashki, sepse ajo, vajza me origjinë nga Bulqiza, ia doli të bëjë krenar çdo shqiptar anekënd botës, duke derdhur lot gëzimi dhe krenarie në mes të Mynihut, e mbuluar nga ngjyrat kuq e zi të flamurit tonë, nën të cilin dukej më bukur se kurrë dhe të cilin e lartësoi si asnjëherë më parë. Ne jemi të bindur se rezultati i Mynihut ishte një rekord me të cilin Luiza do të sfidojë veten në kompeticionet e ardhshme, duke na bërë sërish të ndihemi krenar për vajzën tonë nga Bulqiza”, u shpreh mes duatrokitjeve të shumta kryetari i Bashkisë Lefter Alla.
Këngët dhe vallet tradicionale sollën një atmosferë të hareshme në këtë ceremoni. Por salla u mahnit nga aktori shqiptar Xhevat Lumani, me banim në Amerikë, i cili interpretoi me mjeshtri vargje të poetëve të mëdhenj shqiptar. Gazetari Methasani do ta pagëzonte artistin e madh si: “Skënderbeu i kohëve moderne”, pasi ai në dhjetra vende të botës ka lujtur rolin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti, madje për këtë është përballur me sfida për jetën.
Kulmin festa e arriti kur kryetari i Bashkisë Lefter Alla dhe kryetari i Këshillit Bashkiak Gëzim Xhafa i dorëzuan titullin “Qytetare Nderit” kampiones së madhe Luiza Gega dhe titullin “Mirënjohja e Bulqizës” trajnerit të saj kurajoz dhe të suksesshëm Taulant Stërmasi.
Ata janë shprehur të befasuar dhe shumë të gëzuar për pritjen madhështore që iu rezervuar nga vendorët e Bulqizës dhe banorët e saj.
“Ju falenderoj për emocionet që më dhuruat. Ju falenderoj të gjithëve pa përjashtim. Dua të falenderoj mësuesin tim të parë që ka ardhur në këtë festë të bukur. Nuk e kisha menduar kurrë që do të arrija në majat e Europës. Unë doja të përmirësoja veten. Me punë, me vullnet, me përkushtim arrihet gjithçka. U them të rinjve që nëse dëshironi të arrini diçka mos u ndalni deri kur ta arrini atë. Unë jam shumë krenare që jam nga Bulqiza. Bujaria dhe mbështetja Juaj më dhanë shumë emocione. Isha shumë krenare kur valvita flamurin shqiptar në Gjermani”, tha mes emocioneve Luiza Gega.
Edhe pas ceremonisë zyrtare Bulqiza vazhdonte festën me këngë, valle e muzikë autoktone. / Hasan Pasha /