Regjisori dhe aktori Mevlan Shanaj ka reaguar ashpër pas propozimit të deputetit demokrat, Enkelejd Alibeaj, për ndalimin e filmave të prodhuar para viteve 90-të.
Ndërsa e cilëson një kërkesë absurde, Shanaj tha se këtë ide nuk e mbështet as 3% e popullatës.
“Më thanë që Alibeaj paska propozuar në Kuvend ndalimin e filmave të para 90 ! Nëse është kështu, (siç edhe po më kërkon media të prononcohem)…. si themelues i PD, ndiej trishtim të konstatoj këtë kërkesë absurde nga PD. Ju them këtyre PD- isteve, se këtë ide, mes shqiptarëve nuk e përkrahin as 3 % e popullatës… Duket që po me këtë përqindje do ndahen zgjedhjet e ardhshme nëse hidhni teza te tilla. Korrigjoni shënjestrën nëse seriozisht mendoni se duhet ndryshuar Shqipëria! Kjo mendësi është pa asnjë vlerë ndryshimi! Do të ndodhë të shtohet shikueshmëria si për çdo gjë të ndaluar! Shoqëri e çuditshme, kaq shume të dashuruar këta politikanë me censurën në Art! Koha e ka bërë shkëlqyeshëm përzgjedhjen dhe seleksionimin. Merruni me ndonjë aventurë tjetër! Populli di vetë çfarë zgjedhë, nuk mund t’i imponohet asnjë instrument politik”, shkruan Shanaj.
