Të gjithë ata që do të luajnë online lojëra fati do të përballen me burgun. Pas nismës për të mbyllur lokalet e lojërave të fatit dhe dënimin e atyre që nuk e respektojnë ligjin, Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ashpërsim të dënimeve edhe për ata që hapin llogari online për lojërat e fatit. Kryeministri Edi Rama tha sot se qeveria po punon për të ndërmarrë një reform edhe në kodin penal me ahspërsimin e masave ndaj atyre që hapin llogari online për lojëra fati.
“Online-in e ka problem e gjithë bota, edhe në Kinë ku është e ndaluar edhe në Amerikë. Ama sot ka ardhur koha të marrim disa masa. Disa masa të reja në Kodin Penal dhe ne po i përgatisim. Masa të reja të domosdoshme. Kush organizon bixhoz të shkojë në burg. Nuk ka më “jo po shko, kape, thirre, do bëhem çun i mirë, dil, vazhdo prapë”. Kush organizon bixhoz për të tjerët, në një vend ku bixhozi është i ndaluar, të shkojë në burg”, thekson Rama. / tirananews.al
