Humbja ndaj Interit e ka vënë në pozita delikate Barcelonën në grupin e saj eliminator në Ligën e Kampioneve. Katalanasit mund të humbasin miliona të shumta nëse nuk kalojnë grupin. Përveçse është një nga qëllimet e mëdha sportive të Barcelonës, ky kompeticion është gjithashtu një burim i madh të ardhurash.
Në rast se Barcelona nuk do të renditej në një nga dy vendet e para, duke mbetur jashtë 16 më të mirave, klubi katalanas do të humbiste jo pak por të paktën 30 milionë euro. Natyrisht që kjo shumë mund të amortizohet disi nga kalimi në Ligën e Europës, por planet e Barcelonës janë ndryshe, pasi kualifikimi për në 1/8 e finaleve në Ligën e Kampioneve ishte objektivi minimal i klubit.