Emisioni anglez “Good Morning Britain” ka sjellë në kujtesë prerjen e famshme të flokëve në formë gjysmëhëne që bëri shumë bujë në vitin 2002 të fenomenit Ronaldo. Braziliani, pas dy dekadash, vendosi t’u kërkojë falje të gjitha nënave që u detyruan asokohe t’u plotësonin fëmijëve dëshirën për të kopjuar modelin e futbollistit.
“Nëna ime dhe miliona nëna në mbarë botën ende më urrejnë sot. Kam takuar njerëz me fëmijë që kishin të njëjtat flokë si unë. Më vjen keq, më vjen shumë keq për këtë.”
Ronaldo luajti në Kupën e Botës 2002, ku shënoi tetë gola kur Brazili u bë kampion bote për herë të pestë në Korenë e Jugut dhe Japoni.
Vite më vonë, dy herë fituesi i Topit të Artë zbuloi se kishte sjell stilin e çuditshëm për të tërhequr vëmendjen nga një lëndim që kishte.
“Unë kisha pasur një dëmtim dhe njerëzit nuk flisnin për asgjë tjetër. Kështu që vendosa të shkurtoj flokët dhe ta lë atë gjë prapa. Shkova në stërvitje dhe të gjithë më panë me ato flokë të tmerrshme. Por në fund të gjithë po flisnin për këtë dhe harruan dëmtimin tim”, tha ish-sulmuesi.