Konventa e Partisë së Lirisë, që ka nisur punimet këtë të shtunë, në mbledhjen e saj të parë, miratoi në unanimitet ndryshimet statutore.
Partia e Lirisë, përmes një projektrezolute, njofton marrjen e të gjitha nismave ligjore për miratimin e Ligjit për Referendumet.
-Çdo ndryshim/amendim në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të mos bëhet më vetëm nga deputetët.
Ndryshimet në Kushtetutë duhet të realizohen vetëm përmes Referendumit, që është edhe vullneti i drejtëpërdrejtë i popullit.
– Mega-Projektet kombëtare me vlerë prej qindra miliona eurosh, që zënë një përqindje të lartë shpenzimesh nga Buxheti i Shtetit, duhet të marrin miratimin e popullit. Nuk mundet që një kontratë koncesionare që prek jetën e qytetarëve dhe ndikon në mënyrë të ndjeshme në ekonominë e vendit për periudha të gjata kohore për 30- 99 vjet të miratohet vetëm nga qeveria, ndërkohë që janë qytetarët shqiptarë ata që paguajnë nga xhepi i tyre për këto projekte;
– Ndryshimet në Kodin e Familjes, projektligjet që kanë të bëjnë me institucionin e familjes, prindërimit dhe birësimit, nuk mund të bëhen vetëm nga politikanë apo ligjvënës, që mund të kenë axhenda të caktuara personale, politike apo ideologjike, por duhen vendosur e sanksionuar nga populli përmes Referendumit sepse vetëm populli mund të vendosë mbi vlerat universale dhe morale, traditat e institucionit të martesës, modelin e familjes, dhe mënyrën e prindërimit.
– Të gjitha objektet, zonat, pasuritë kombëtare me vlera universale, sitet arkeologjike, të klasifikuara si trashëgimi kulturore dhe pasuri kombëtare të mos jepen në përdorim, të të tretëve apo me koncension pa miratimin e vullnetit popullor përmes Referendumit.
– Mega-Projektet rajonale të financuara nga Njësitë e Pushtetit Vendor duhen miratuar, përmes Referendumit, nga banorët e njësive vendore ku zhvillohet aktiviteti i këtyre projekteve dhe investimeve, ose përmes referendumeve kombëtare kur çështje të kësaj natyre kanë efekte në nivel kombëtar.
