Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako i cili u rikthye në burg, do të jetë nën akuzë edhe për inceneratorin e Elbasanit, përveç atij të Fierit për të cilin po hetohet. Prokuroria e Posaçme, SPAK ka ngritur akuzë për Bllakon si dhe për Mirel Mërtirin.
“Nga tërësia e akteve të këtij procedimi penal provohet fakti dhe krijohet bindja se Alqi Bllako në cilësinë e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, në Bashkëpunim me shtetasit Pëllumb Abeshi, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Bardhul Çabiri e Serafin Papa në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të dhënies së koncesionit si dhe në bashkëpunim me Lefter Kokën në cilësinë e ministrit të Mjedisit, kanë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë së Posaçme.
