Vajza e të moshuarës që u dhunua në shtëpinë e të moshuarve në Pejë dhe që shkaktoi një debat të madh në publik, kërkon drejtësi dhe kundërshton vendimin e Gjykatës Supreme që liroi tri infermieret.
Në një intervistë televizive, Zhaneta Nura thotë se i ka dërguar një letër presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe Ministrisë së Drejtësisë, ku kërkon drejtësi për rastin e nënës së saj.
“Ato janë argëtuar me nënën time”, shprehet Zhaneta për tri infermieret që dhunuan dhe filmuan gruan e moshuar dhe që pak ditë më parë u lanë në gjendje të lirë. Sipas Zhanetës, për shkak të dhunës që ka përjetuar në qendrën “Orenda”, nëna e saj po përjeton një gjendje ankthi.
“Ka ankth, shqetësime, të qara të vazhdueshme, ne po i qëndrojmë afër”. Ajo thotë se nënën e dërgoi në shtëpinë private të të moshuarve pasi ajo duhet të qëndronte nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve specialist.
