Neymar ka reaguar për herë të parë në rrjete sociale pas humbjes me Kroacinë.
Duke e konsideruar si humbjen më të madhe, futbollisti u shpreh se këtë dhimbje do ta ndiejë për një kohë shumë të gjatë.
“Jam i shkatërruar psikologjikisht. Kjo ishte padyshim disfata që më ka dhembur më shumë, një disfatë që më paralizoi për 10 minuta, ndërsa më pas shpërtheva në lot pa pushim. Fatkeqësisht do të dhembë për një kohë shuuuumë të gjatë. Ne luftuam deri në fund dhe jam krenar për bashkëlojtarët e mi sepse nuk mungoi as përkushtimi as dedikimi. Ky grup e meritonte, ne e meritonim, BRAZILI e meritonte…por ky nuk ishte vullneti i Zotit! Ja vleu çdo sakrificë për të ndjerë dashurinë e secilit në fushë. Faleminderit për mbështetjen tuaj për skuadrën tonë! Fatkeqësisht nuk funksionoi…do të dhembë për një kohë shumë, shumë të gjatë. Faleminderit për gjithçka Zoti im! Më ke dhënë gjithçka dhe nuk mund të ankohem për asgjë! Thjesht faleminderit që kujdesesh për mua. I gjithë nderi dhe lavdia janë gjithmonë për ty, pavarësisht nga rrethanat!”, ka shkruar futbollisti.
Pas ndeshjes, ylli i PSG-së la shumë dyshime nëse do të jetë pjesë e Botërorit të ardhshëm.
“Të them se ky është fundi do të ishte e ngutshme, por as nuk garantoj asgjë. Të shohim se çfarë do të ndodhë në vijim. Dua ta kaloj këtë kohë për të menduar për këtë, të mendoj për atë që dua për veten time. Nuk do ta mbyll derën për të luajtur me Brazilin, as nuk them 100 për qind se do të kthehem”, u shpreh Neymar.