Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale një postim ku thotë se gazeta britanike Metro sugjeron Shqipërinë si një nga vendet që duhen vizituar në vitin 2023. Kreu i qeverisë thotë ndër të tjera se nga Janari deri në Nëntor të këtij viti, në vendin tonë kanë ardhur 157 mijë vizitorë anglezë. Kjo shifër sipas kryeministrit përbën 93% më shumë se një vit më parë.
“Edhe gazeta britanike Metro, këtë fundvit rendit sugjerimet për vendet që duhen vizituar në vitin 2023, ku natyrisht Shqipëria është pjesë e guidës së rekomanduar. Nga Janari deri në Nëntor të këtij viti 157 mijë vizitorë anglezë mikpritëm në Shqipëri, 93% më shumë se një vit më parë”, shkruan Rama.
Çfarë shkruan Metro për Shqipërinë
Gazeta britanike ka renditur disa vende të ndryshme e ndër to është edhe Shqipëria që duhen vizituar vitin e ardhshëm. Metro shkruan se brigjet e Shqipërisë janë njësoj si ujërat e Maldives, si dhe e konsideron një vend të përballueshëm ekonomikisht.
Metro shkruan se në Prill bileta Londër-Tiranë kushtonte 64 Paund, ndërsa një taksi për në Durrës nis nga 15 Paund. Gazeta britanike u sugjeron lexuesve të saj se një fundjavë në Shqipëri mund të kushtojë 200 Paund për person.
