Shtëpia e Bardhë ka prezantuar Perëndimit një propozim për një kornizë të re të sigurisë evropiane, të shoqëruar me garanci sigurie për Ukrainën, ndërsa administrata e presidentit amerikan Donald Trump po përgatitet për bisedime trepalëshe mes SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë, të planifikuara të zhvillohen në Abu Dhabi më 10 dhe 11 nëntor. I dërguari i posaçëm i Trumpit, Jared Kushner, bëri të ditur detajet e kësaj nisme më 5 nëntor, përmes një postimi në rrjetet sociale, pas diskutimeve në Bruksel me përfaqësues te Ukrainas, të NATO-s dhe zyrtarë evropianë.
Propozimi parashikon konsultime të përhershme për çështjet e sigurisë, komunikim në situata krizash, rritje të transparencës ushtarake, masa reciproke për të ulur rrezikun e përshkallëzimit të konflikteve, si dhe një marrëveshje afatgjatë për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë.
Kushner theksoi se nisma do të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të çdo shteti dhe se asnjë vend nuk duhet të ketë të drejtën e vetos mbi zgjedhjet e sigurisë apo aleancat e një vendi tjetër. Ai nënvizoi gjithashtu se NATO do të mbetet në qendër të mbrojtjes kolektive evropiane.
Njoftimi erdhi pas takimit që Trump zhvilloi më 5 nëntor në Shtëpinë e Bardhë me Kirill Dmitrievin, të dërguarin e posaçëm të presidentit rus Vladimir Putin. Kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh optimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të rëndësishme, e cila, sipas tij, mund të përfshijë jo vetëm Ukrainën, por të gjithë Evropën.
“Do të jetë një marrëveshje e madhe dhe do të përfshijë më shumë sesa Ukrainën”, deklaroi Trump para gazetarëve, duke shtuar se “të gjithë do të jenë të kënaqur”. Kushner bëri të ditur se konsultimet do të vijojnë përmes të ashtuquajturit formati “Shell Bay”, ku përfshihen Ukraina, NATO-ja, Bashkimi Evropian dhe partnerë të tjerë evropianë, ndërsa Rusia do të jetë pjesë e negociatave të paqes.
Megjithatë, lidhja e garancive të sigurisë për Ukrainën me një arkitekturë më të gjerë të sigurisë evropiane ka ngritur pikëpyetje te ekspertët për marrëdhëniet me Rusinë, veçanërisht lidhur me ndikimin që kjo nismë mund të ketë mbi NATO-n.
Bisedimet trepalëshe mes SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë janë planifikuar për 10 dhe 11 nëntor në Abu Dhabi. Sipas Kushneri, ato do të jenë negociatat e para të këtij formati që prej muajit shkurt.
