Anton Gjinaj biznesmeni me disa emra i dënuar nga drejtësia spanjolle për trafikimin e 50 kilogramëve heroinë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, është liruar nga burgu i Rrogozhinës 7 ditë para ndërrimit të viteve.
Gazetari Elton Qyno thotë se vendimin për lirimin e pronarit të “Alesio 2014”, firmë ndërtimi që ka marrë miliona euro tendera nga qeveria shqiptare në vitet e fundit, është dhënë nga gjyqtari i Kavajës Sokol Marra, i cili mësohet të ketë njohur periudhën e qëndrimit në paraburgim të Anton Gjinaj në Malin e Zi, shtet ku fillimisht u arrestua për akuzën e trafikut të drogës.
Njëherësh gjyqtari i Kavajës Sokol Marra, ka njohur dhe periudhën disa mujore të vuajtjes së dënimit në 3 burgjet shqiptare. Dhe për pasojë, ka dalë në konkluzjonin se personi me 4 emra si Anton Gjinaj alias Pashk Rrapi alias Pashuk Gjini dhe Pashuk Maloku, ka tejkaluar dënimin prej 8 vite e 9 muaj burgim, të dhënë nga drejtësia spanjolle, shkruan gazetari Qyno.
Nisur nga kjo situatë, gjykata ka vendosur shuarjen e vuajtjes së dënimit për të burgosurin Anton Gjinaj, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të biznesmenin,nëse nuk kishte dënim tjetër shtesë.
Ekzekutimin e këtij vendimi, e ka kryer juristi i burgut të Rrogozhinës së bashku me prokurorin e çështjes, duke bërë që prej ditës së Premte, Gjinaj të lirohet.
Nga ana tjetër autoritetet Spanjolle, në dosjen e trasferimit të këtij të dënuari në Shqipëri, kanë lënë porosi dhe u thonë palës Shqiptare se Pashk Rrapi alias Anton Gjinaj, duhet të vuajë në Shqipëri një dënim të mbetur, prej 3 mijë e 190 ditë burgim dhe përcaktojnë datën 24 qershor 2025, për lirimin nga burgu tij.
Por para se biznesmeni i ndërtimit të lirohej nga qelia, në muajin shtator 2022, Gjinaj ka paraqitur 5 kërkesa të njëjta në gjykatën e Kavajës, duke kërkuar përllogaritjen e kohës së paraburgimit në Malin e Zi.