Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku nga Kryesia e Kuvendit, për gazetarët tha se ka kërkuar që seanca plenare që zgjasin në Kuvend të evitohen dhe mos të kthehen në noteri për qeverinë.
“Parlamenti duhet të ketë një rregullsi nuk mund të kthehet në noter të qeverisë. Kërkova që të evitohen seancat që zgjasin. Duhet të jetë në funksion të punës së deputeteve dhe jo në funksion të punës së qeverisë. Ne nuk mundet që të diskutojmë ato që ka prioritet qeveria. Vijnë aktet normative, vijnë ligje që u kërkohet komisioneve të diskutohen brenda 48 orëve. Rasti më i fundit ishte i portit të Durrësit që nuk patëm kohë ta diskutonim. Hodhi poshtë kërkesën time për ngritjen e një komisionin hetimor për fluturimet me Charter të Ramës”,-u shpreh Tabaku.
Nga ana tjetër, deputetja tha se nuk ka dijeni për mbledhje firmash që shkarkojnë kreun e grupit Enkelejd Alibeaj. Ajo u shpreh se nuk është thirrur për një mbledhje grupi. “Nuk më ka thirrur askush për mbledhje grupi, nuk kam asnjë dijeni po mblidhen nuk po mblidhen firmat dhe cili është procesi”,-u shpreh Tabaku ndërsa tha se e sheh të dhimbshme që “opozita sot është më e pabesueshme se qeveria”.
