Vetë “The Guardian” online ka publikuar sot shkrimin e saj të 34 viteve më parë për vdekjen e Enver Hoxhës në Shqipëri.
“Epoka Hoxha përfundon në Shqipëri”, ka qënë titulli i atij shkrimi më 12 prill 1985: Diktatori i shtetit komunist të Ballkanit ndërron jetë pas 40 vitesh sundim të hekurt.
Ajo çfarë të bën përshtypje në këtë shkrim të 34 viteve më parë është mënyra e përshkrimit të Ramiz Alisë, që mesa duket ka ngjallur shpresa tek Perëndimi, siç dhe ndodhi më vonë, për një hapje të Shqipërisë ndaj botës.
“Z. Alia, me sa duket anëtari më liberal i udhëheqjes së sotme shqiptare, pritet të vazhdojë dhe ndoshta të përshpejtojë hapjen graduale të Shqipërisë me botën e jashtme, e cila filloi dy vjet më parë”, thuhet në shkrimin e atëhershëm.
SHKRIMI I PLOTE I THE GUARDIAN, 12 PRILL 1985
“Epoka Hoxha përfundon në Shqipëri”
12 prill 1985- Diktatori i shtetit komunist të Ballkanit ndërron jetë pas 40 vitesh sundim të hekurt.
Udhëheqësi i fundit i mbijetuar që nga koha e luftës në Europë, Enver Hoxha, i Shqipërisë, vdiq dje pas 40 vitesh të sundimit të hekurt në shtetin e vogël komunist të Ballkanit, të cilën ai e ktheu në një nga vendet më të izoluara dhe sekrete në botë.
Z. Hoxha, 76 vjeç, kishte qenë i sëmurë prej vitit të shkuar dhe punët dukej se kishin kaluar në duart e pasardhësit të tij të zgjedhur, i kryeministrit, z. Ramiz Alia.
Në njoftimin zyrtar të vdekjes z. Alia u emërua si kryetar i komitetit që do të organizojë funeralin, funksioni i parë i zakonshëm i një lideri të ri në një vend komunist, dhe në njoftim thuhet se z. Hoxha ndërroi jetë pas një sulmi në zemër që kishte vuajtur në fillim të kësaj jave. Zbulohet se ai ishte paralizuar që nga një infarkt i vitit të shkuar.
Z. Alia, mesa duket anëtari më liberal i lidershipit aktual në Shqipëri, pritet të vazhdojë dhe ndoshta të shpejtojë hapjen graduale të Shqipërisë me botën e jashtme, e cila filloi dy vjet më parë.
Djalë i një familje të varfër muslimane (feja e pjesës më të madhe të shqiptarëve para se Hoxha të nxirrte jashtë ligjit të gjitha kishat), z. Alia iu bashkua organizatës shqiptare fashiste, “Të rinjtë e Liktorit”, në moshën 19-vjeçare por shumë shpejt u kthye në komunist.
Sot 59 vjeç, ai ka qenë në krah të z. Hoxha për më shumë se tre dekada. U bë ministër i Edukimit në moshën 30 vjeç dhe anëtar i Byrosë i Partisë së Punës së Shqipërisë që është në pushtet për më shumë se çerekshekulli. Ai u bë kryeministër në nëntor të 1982, një vit pas vrasjes së dukshme të zv.komandantit për një kohë të gjatë, z. Mehmet Shehu, kryeministrit të atëhershëm.
Pavarësisht ankesave në shtypin zyrtar për pamjaftueshmëri dhe mungesa, z. Alia ka folur së fundmi për modernizim dhe rritje të kontakteve të huaja. Pas 40 vitesh të rregullave staliniste të z. Hoxha dhe kultit të individit, atij do i duhet të ecë ngadalë me çdo liberalizim.
Raportohet se janë mijëra të burgosur politik në Shqipëri në mesin e tre milionë njerëzve. Një vlerësim i kohëve të fundit e tregon shifrën më të lartë se 40 mijë, përfshi priftërinj dhe të tjerë që refuzuan t’i përuleshin socializmit të z. Hoxha.
Grupet në mërgim janë aktive në SHBA dhe në fqinjin Greqi, dhe ish- Mbreti Leka, monarku 2.1 metra i gjatë, i cili ishte disaditësh kur ra monarkia, kërkon rikthimin e saj.
Burimet e vlefshme bujqësore dhe minerale të Shqipërisë, përfshi vajin dhe kromin, do të thotë se ekonomia nuk ka vuajtur rëndë nga izolimi i shtuar i vendit, që kur Hoxha u nda nga aleati i tij kryesor Kina, në 1978.
Megjithatë, marrëveshjet tregtare dhe kulturore të firmosura me vendet e Europës Perëndimore, përfshirë, Greqinë, Italinë, Gjermaninë Perëndimore, Austrinë, Turqinë në muajt e fundit kanë tentuar të lehtësojnë situatën.
Shenja e parë e qetësimit në politikën e jashtme nën drejtimin e z. Alia mund të vijë në përmirësimin e marrëdhënieve me Britaninë dhe Francën.
Marrëdhëniet me Londrën janë bllokuar pas refuzimit të Britanisë për t’i kthyer arin e marrë në Shqipëri nga Mussolini, dhe fundosja e dy anijeve britanike në Korfuz në 1946. Por z. Alia ka thënë: “vështirësi të tilla mund të tejkalohen përmes përpjekjeve të përbashkëta”.
Përktheu: tirananews.al

