Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, në një intervistë për “Ora News”, deklaroi se ka një tentativë nga mazhoranca dhe qeveria për të mbajtur të gjallë të ashtuquajturën krizë legjitimiteti të organeve drejtuese të Partisë Demokratike, çka, sipas tij, bën që demokratët pavarësisht se e kanë thënë fjalën e tyre me kohë dhe zëri i tyre është dëgjuar me kohë edhe nga gjykata, përsëri nuk reshtin tentativat për këtë dualizëm.
“Siç është ajo e fraksionit të vulës, për të çuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve komisionerët e për ta vazhduar jo vetëm në KQZ por edhe në instancat e tjera çështjen e PD-së. Le të themi ka një vendim të marrë nga demokratët të cilët duan dhe duhet të regjistrohen me organet që ata vetë i kanë zgjedhur, me vulën dhe me siglën e tyre dhe sigurisht detyra jonë është që ta vëmë në jetë një gjë të tillë dhe ta zbatojmë dhe për të bërë ç’është e mundur që brenda hapësira që ligji njeh për ta regjistruar PD-në ashtu siç demokratët kanë vendosur ta regjistrojnë. Pra me vulën dhe me siglën që ka miratuar Kuvendi i 11 dhjetorit 2021”, u shpreh Ivi Kaso.
Çfarë po ndodh me çështjen e vulës?
Ka një tentativë nga fraksioni i vulës për të çuar këtë në Gjykatën e Apelit një çështje që nuk është një çështje gjyqësore, është administrative e cila për efekt të ligjit ka mbaruar. Por përsëri, duke përdorur të gjitha mekanizmat që pushteti i ofron e kanë çuar çështjen në Gjykatën e Apelit duke synuar që ta mbajnë në kalendat greke dhe kurrë pa ndonjë zgjidhje qoftë dhe në aspektin formal.
Çfarë efekti ka kjo vonesë?
Demokratët në fakt janë shumë të qartë dhe synohet të shitet në media sikur Partia Demokratike është në kaos total, ku nuk merret vesh kush janë organet e saj drejtuese dhe legjitime. Për demokratët nuk është aspak ashtu, sepse për demokratët në bazë janë shumë më të qartë se ato segmente të kapura dhe të influencuara nga mazhoranca por dhe ata analistë të mediave gjoja të pavarura i fryjnë shumë përçarjes dhe kaosit për të zhvendosur vëmendjen nga skandalet e njëpasnjëshme të kësaj qeverie dhe për fat të keq të shqiptarëve.
Si do të veproni për regjistrimin për zgjedhjet?
Partia Demokratike do të paraqesë brenda afatit të saj ligjor kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor, sepse procedura në KQZ afatet e janë të tilla që paraqitet njëherë kërkesa dhe regjistrohesh njëherë si subjekt politik, pra si parti dhe më pas regjistrohesh si koalicion nëse ka një gjë të tillë. Kështu që hapat janë të detyrueshëm. Pra vulat janë në përdorim të përditshëm siç bëmë dhe me listat e anëtarëve të KZAZ-ve me firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së.
Pra vula pse po mbahet peng?
Po mbahet peng thjesht dhe vetëm për efekt të pushtetit. Pra, nuk është se ka një kauzë gjyqësore, apo një çështje gjyqësore që pret zgjidhje, por është vetëm një përpjekje e rëndomtë e pushtetit, i cili duke ushtruar presion edhe aty ku nuk duhet të ushtrojë, edhe në ato mekanizmat e menaxhimit të funksioneve të gjykatës, të cilat duhet të ishin të pavarura, mban peng vetëm formalizimin, ose pasqyrimin në regjistër të logos dhe vulës së demokratëve.
Po në gjykatë në cilën pikë jemi?
Nuk ka ende një datë për sa i përket pseudo-çështjes gjyqësore të cilën fraksioni i vulës e ka çuar vendimmarrjen e Kuvendit të 11 dhjetorit dhe ne jemi në pritje të Gjykatës së Apelit. Jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe në kontakt shkresor duke i kërkuar në mënyrë të pareshtur që të ketë një vendimmarrje sa më të shpejtë. Dhe shpresojmë që do të ishte dhe ajo që presin të gjithë shqiptarët dhe demokratët që kjo vendimmarrje të vinte përpara datës së regjistrimit në proces zgjedhor.
E supozojmë se kjo nuk ndodh, çfarë do bëhet?
Nëse nuk vjen kjo, për fat të mirë ligji dhe KQZ-ja në raste të tjera analoge e kanë zgjidhur këtë dhe e kanë zbatuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë një vendim gjykate i cili është në fuqi i pakontenstuar ng askush, siç është vendimi numër 3 i 25 marsit 2022, i cili çertifikon përkushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e vendimmarrjes së 11 dhjetorit 2021. Dhe ky vendim është detyruueshëm të zbatohet nga KQZ-ja, siç ka bërë dhe në vitin 2019.