Sekretariati për Procedurat dhe Votimet, në mbledhjen e kësaj të marte pas debateve, doli në përfundimet se ka përjashtuar deputetët e PD-së për kaosin në seancën plenare të enjten e kaluar.
Deputetët Edmond Spaho, Oerd Bylykbashi, Elda Hoti dhe Sorina Koti nuk do të lejohen në seancë për 10 ditë, ndërsa Lindita Metaliaj është përjashtuar për 5 ditë dhe Greta Bardeli për 3 ditë.
I pranishëm në mbledhje, deputeti i PD-së i përjashtuar tashmë, Edmond Spaho tha se është revoltuar sepse sipas tij po bëhet grusht shteti, ndaj do të bëjë zhurmë e do të hyjë në Kuvend sa herë të dojë dhe do guxojë të thyejë dhe karrige për shkak se kanë refuzuar ngritjen e Komisionit Hetimor për çështjen McGonigal.
Më 16 shkurt, Byroja e Kuvendit mban në fuqi vendimin e Sekretariatit të Etikës për të përjashtuar për 10 ditë nga punimet Sali Berishën dhe Flamur Nokën, si dhe për 5 ditë Edi Palokën dhe Belind Këlliçin.
Vendimi për gjashtë deputetët e tjerë u mor pas kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, të cilët akuzojnë kolegët demokratë për pengim të vazhdueshëm të mbarëvajtjes së punimeve në seancat plenare.
