Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar masën e “arrestit në shtëpi” për 6 efektivë policie, lidhur me ngjarjen ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani. Bëhet fjalë për efektivët, Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu.
Kujtojmë se kjo ngjarje u regjistrua disa ditë para zgjedhjeve të 25 Prillit 2021. Për vrasjen në akuzë është ish-efektivi i forcave speciale RENEA, Arbër Paplekaj, i cili me anë të disa shkresave kërkoi zhvendosjen e gjykimit në një gjykatë tjetër për pretendimin se në Elbasan çështja e tij është e paragjykuar.
Megjithatë të gjithë shkallët e gjyqësorit i thanë jo kërkesave të bëra prej tij. Kjo i hapi rrugë gjykimit të Paplekajt dhe në seancën e radhës do të pyeten dëshmitarët e parë të kërkuar nga Prokuroria.
Avokatja e familjes së Pjerin Xhuvanit i tha medias që ky proces duhet të nxjerr edhe përgjegjësit që nuk evituan ngjarjen.