Këtë të premte Gjykata e Elbasanit nuk ka pranuar pretendimit e prokurorisë dhe ka lënë pa masë sigurie dhe në detyrë 6 efektivët e policisë, që ishin të pranishëm në momentin e vrasjes së Pjerin Xhuvanit pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021.
Pas këtij vendimi, 6 policët Erjon Balla, Erjon Meçja, Besmir Kadiu, Donald Dedja, Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku do të gjykohen në gjendje të lirë.
Efektivët e repartit “Shqiponja” kishin pasur dijeni për makina të cilat kishin armë në Elbasan. Mbi këto dyshime, u kërkua edhe masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për 6 efektivët të cilët pak muaj më parë u rikthyen në detyrë.
Vrasja në Elbasan që ndodhi pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021, shkaktoi reagime të shumta dhe akuza të ndërsjella nga ana e politikës. PD-ja akuzoi socialistët që po blinin vota për të fituar zgjedhjet, ndërsa shumica akuzoi opozitën se kishte ngritur një grup të armatosur për ta përdorur para dhe gjatë zgjedhjeve.