Hakmarrja dhe problemet familjare po vrasin gratë. Tre gra janë vrarë nga një njeri, dhe shënojnë krimin më të frikshëm në vitet e fundit. Ngjarja e parë, që është edhe më e rënda, pasi vrasësi serial i grave, Dan Hurta del që është një prodhim i shtetit. Ai është autor i masakrës në Kodër-Kamëz, ku vrau Mevlute Hysën 30 vjeçe, (motrën e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses) si dhe plagosi Elena Hysën dhe Kujtime Hysën. Kurse Etleva Kurti e cila është viktima e parë, u vra në oborrin e shtëpisë së saj. Ajo është motra e Vladimir Kurtit, të dënuar me burgim të përjetshëm me një vendim të formës së prerë në vitin 2022.
Krimi i parë i 40-vjeçarit, të paktën i regjistruar, shënohet plot 20 vite më parë, në vitin 2003, kur monstra ishte vetëm 20 vjeç dhe e nis me ngjarje tronditëse. Ai dënohet pas përdhunoi kunatën dhe mori peng kunatën tjetër. Ai është arrestuar më 20 maj 2003 nga Komisariati Devoll për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë”, ndërkohë që është dënuar 2 vite burgim në 2003.
Më pas në vitin 2007 ngjarja që e mbylli për 15 vite në qeli. Ai ekzekutoi gruan e tij të parë Dafina Havalja, të cilën e theri me dy goditje me thikë në zemër e mëlçi. Gjykata e dënoi 24 vite, do të vuante 16 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ky vendim e mbylli një Burgun e Sigurisë së Lartë.
Një tentativë e bujshme arrestimi e përgatitur nga as më shumë e as më pak, Admir Tafilli, një super personazh i njohur i botës së krimit. Dan Hutra ndihmoi në arratisjen, por mbeti në burg, ndërkohë që Admir Tafili dhe të tjerë si ikën nga qelitë, disa për të arresuar pak më pas.
Një tjetër tentativë për arratisje e mundshme nga burgu i Sigurisë së lartë të Drenovës me protagonist kryesor këtë herë Dan Hutrën u shmang gati dy muaj pasi nga ky burg arritën të largoheshin 7 të burgosur mes tyre dhe Admir Tafili. 4 fletë sharre hekuri u futën në sektorin e paraburgimit, pikërisht në qelitë e 3 të burgosurve të cilët kanë ndihmuar në arratisjen e bujshme. Gjatë hetimeve prokuroria e Korçës zbuloi atëherë se fillimit sharrat janë marrë nga i dënuari Dan Hutra, ish-shok qelie me Admir Tafilin. Mjette prerëse ishin futur me ndihmën e gardianëve të burgut.
Sapo është liruar nga burgu, në dhjetor 2021 Dan Hutra është arrestuar për vjedhje banesash në Durrës, ndërkohë që sërish është arrestuar më 1 shkurt 2022 për tentative vjedhjeje banese. Në qershor të vitit të kaluar ai është arrestuar nga policia pas kallëzimit të bashkëjetueses për ushtrim dhune në familje, ndërkohë që është liruar 16 shkurt të këtij viti.
Nuk dihet se kush është gjyqtari që ka marrë këtë vendim për ta lënë të lirë këtë monstër rrugëve të Tiranës, i cili 12 ditët e lirisë i janë dashur vetëm të planifikojë krimet e radhës monstruoze duke marrë jetën e 3 grave të pafajshme, duke plagosur 3 të tjera dhe duke tronditur një vend të tërë.
Në një shoqëri ku burrat vrasin gratë, psikologët shkaqet i shohin komplekse. Nisin me mënyrën sesi i rrisim e edukojmë djemtë. “Për fat të keq djemtë ose burrat janë ata të cilëve u lejohet të kenë më shumë forcë dhe dominim te gjinia femërore, vajzat dhe gratë”. Eneida Frashëri, psikologe, thotë se mentaliteti i shoqërisë por edhe roli dominues i prindërve në jetën e fëmijëve të tyre janë të tjera arsye.
Aktivistë të mbrojtjes së të drejtave të grave thonë se reagimi i institucioneve por edhe vetë shoqërisë është i pamjaftueshëm në parandalimin e të tilla tragjedive. Çdo vit Shqipëria shënon statistika shqetësuese të grave të vrara dhe të dhunuara. Vitin e shkuar humbën jetën 16 gra e vajza ku autorë ishin partnerët apo familjarët e tyre.
Urdhri i mbrojtjes është veç se një letër e bardhë ku shënohet emrat e palës që kërkon mbrojtje nga policia, ku në shumë raste viktimat janë të detyruara që të bashkëjetojnë në një çati me dhunuesin e tyre, e kjo është një tjetër çështje ekonomike që shteti nuk jep zgjidhje. Prej vitesh flitet për barazi dhe mbrojtje të gruas në vend, por realiteti është larg tablosë që shfaqet në ekranet e bukura televizive.
Nëse duam të mbrojmë gruan, duhet të heqin pjesën e kalbur të sistemit mbrojtës, të kemi polici, gjykatë dhe shoqata që punojnë, e jo që vajtojnë pas çdo vrasje dhe harrohen në zyra. Nëse duam që të mbrojmë gratë, personat drejtues në Policinë e Shteti apo në Ministrinë e Brendshme, dikush duhet të japë dorëheqjen, sepse zinxhiri i drejtësisë është i kalbur dhe ligji nuk ka fuqi në këtë vend.
”Shenjë minimale respekti”, kështu tha ministri grek, dhe dha dorëheqjen pas tragjedisë me 40 viktima, që shkaktoi përplasja e dy trenave. Është koha që dorëheqja të mos jetë më një akuzë për dështim, por si shenjë që një tjetër këtë punë e bën më mirë.