Tre shtylla, vetëm një gol dhe një fitore për Romën e humbje për Juventusin. Mbyllet mes shumë eocioneve dhe golit të Mancinit supersfida e javës së 25 të Serie A në stadiumin “Olimpico” të tejmbushur.
Jose Mourinho mund të buzëqeshë sepse skuadra e tij është rikthyer në zonën Champions duke zbritur Milanin në vendin e pestë. Massimiliano Allegri qan rastet e humbura të skuadrës së tij, shumë pranë golit të avantazhit me Rabiot në fraksionin e parë ku Rui Patricio bëri mrekullinë, ndërsa në krahun tjetër, Roma u shfaq një skuadër e transformuar krahasuar me humbjen e Cremona-s.
90 minuta shumë të luftuara në kryeqytet ku fitoi futbolli dhe sigurisht verdhekuqtë por Juventusi hodhi një hap fals në garën për të rifituar sa më shumë pozicione pas dënimit me 15 pikë. Napoli kryeson klasifikimin me 65 pikë, i ndjekur nga Inter me 50 dhe Lazio e Roma me 48 dhe 47 po aq sa Milani që për momentin ka golavarazh më të keq.