Debati ndërmjet kreut të Institutit për Studimet e Pasojave të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa, dhe deputetit të PS-së, Spartak Braho, u rindez ne tryezën e organizuar nga Kryetari i Kuvendit me krerët e institucioneve të pavarura që raportojnë në Kuvend.
Në tryezën e organizuar nga Kryetari i Kuvendit, ku i pranishëm ishte edhe Tufa, ky i fundit kërkoi nga Ruçi që të marrë masa ndaj deputetit Braho. Ai ngriti shqetësimin për deklaratën e bërë disa ditë më parë në Komisionin e Ligjeve nga deputeti Spartak Braho, i cili kërkoi shkarkimin e Tufës.
“Unë doja, zoti kryetar, që këtij deputeti, konkretisht për zotin Braho, t’i tërhiqet vërejtje. Sepse unë mendoj se një deputeti nuk mund t’i hiqet vërejtje vetëm për sherre në sallën e Parlamentit, por edhe kur fyen, kërcënon dhe shantazhon”, deklaroi Tufa. Por në përgjigje të kërkesës së tij, Ruçi theksoi se çdo deputet është i lirë të japë mendimet e tij dhe se Kryetari i Kuvendit nuk është kujdestar konvikti.
“Deputeti mund të shprehë pikëpamjet e tij që nuk është dakord me qëndrimin tënd, kjo është një e drejtë e tij. Kostot tona që jemi publikë, që nga unë i pari deri te ju, duhet të dimë t’i ndajmë gjërat dhe të mos kërkojmë që dikush të na bëhet avokat i kësaj çështjeje apo unë ta thërras si kujdestar konvikti. Deputeti është deputet, unë jam njëri prej tyre”. Tufës iu përgjigj edhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili theksoi se kreu i Institutit për Studimin e Pasojave të Krimeve të Komunizmit mund të ndjekë rrugë ligjore për shqetësimin që ka. “Për fyerje mund t’i drejtoheni Gjykatës, për shantazh Prokurorisë”.
DEBATI
Pak ditë më parë, Komisioni i Ligjeve shqyrtoi rezolutën për veprimtarinë e Institutit për Studimet e Pasojave të Krimeve të Komunizmit. Gjatë kësaj mbledhjeje, deputeti i PSsë, Spartak Braho, akuzoi Agron Tufën se po keqpërdor institucionin që drejton, madje duke e krahasuar si celulë të Ballit Kombëtar.
“Ky institut, me Agron Tufën në krye, është kthyer në një seksion të Ballit Kombëtar, të Partisë së Ballit Kombëtar. Ka marrë përsipër të nxijë çdo gjë, duke përfshirë luftën, heronjtë, dëshmorët dhe nuk ka asgjë shkencore në tërë analizat, që ka bërë ky institut. Ka shumë helm brenda në tërë veprimtarinë e këtij instituti. Në këto kushte do të kërkoj shkarkimin e Agron Tufës derisa t’i thërrasë mendjes e të jetë më i ekuilibruar”, është shprehur Braho.