Graham Potter nuk është më trajner i Chelsea. Konfirmimi zyrtar u dha nga klubi, që njoftoi shkarkimin e trajnerit nga detyra. Vendimi u mor vetëm pak orë pas humbjes në shtëpi me Aston Villa. Për momentin, stoli do ti besohet përkohësisht Bruno Saltor.
“Në emër të klubit, duam të falenderojmë sinqerisht Graham për kontributin dhe përpjekjet e tij te Chelsea”, thuhet në komunikatën e pronarëve Todd Boehly dhe Behdad Eghbali. “Kemi respekt maksimal për Potter si trajner dhe si njeri. Edhe pse jemi të zhgënjyer për mënyrën si po përfundon kjo histori, Graham është sjellë gjithmonë me profesionalizëm dhe integritet”.
Blutë e Londrës kërkuan të gjithë mbështetjen e mundshme të tifozëve për fundin e sezonit. Edhe pse ndodhet në mesin e renditjes, gara e Chelsea nuk ka përfunduar, me ekipin që duhet të luajë dhjetë javët e fundit të Premier League, por edhe çerekfinalet e Champions.
