Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja këtë të martë ka paraqitur në Komisionin e Ligjeve ndryshimet në ligjin për Policinë e Burgjeve. Manja tha se me ndryshimet e reja në ligjin, policët e burgjeve do të lejohen që të mbajnë pistoletë.
Një tjetër, ndryshim ka të bëjë me mundësinë që policët e burgjeve të kenë mundësi të përfitojnë kredi për strehim në forma lehtësuese. Kurse ndryshimi i tretë ka të bëjë dhe me kriteret e pranimeve për policinë e burgjeve, ku është hequr kufizimi moshor për ata që duan të jenë pjesë e burgjeve.
“Policia e burgjeve të mbajë armë në brez. Heqja e kësaj të drejtë krijoi shumë probleme, madje dhe duke rrezikuar jetën e tyre. Me këto ndryshime punonjësit e Policisë së burgjeve do të mbajnë armë, njësoj si kolegët e tyre. Ndryshimi tjetër ka të bëjë me pjesën e financave, me këto ndryshime punonjësit e policisë së burgjeve do të kenë mundësi të përfitojnë kredi për strehim në forma lehtësuese. Ndryshimi i tretë ka të bëjë me kriteret për pranimin e Policinë e Burgjeve. Nuk do të pranohen në policinë e burgjeve që janë dënuar në formë të prerë. Nuk do të lejohen të pranohen në policinë e burgjeve persona që janë të dënuar në arrest me burg apo në arrest shtëpie. Të hiqet kufizimi moshor deri në 35-vjeç për aplikimet për policinë e burgjeve”,-tha Manja.