“Asnjë grua nuk duhet të jetojë me dhunën apo ta përballojë e vetme atë”. Ky është mesazhi i përcjellë nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri në nisje të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”. Përmes një videoje, ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, ka rrëfyer në gjuhën shqipe dhe në vetën e parë historinë e një gruaje që, falë mbështetjes që mori, arriti të rindërtonte jetën pas dhunës në familje dhe divorcit.
Në videon e publikuar në rrjetet sociale nga Delegacioni i BE-së dhe UN Women, ambasadorja rrëfen vështirësitë me të cilat u përball gruaja pas ndarjes, përpjekjet për t’u kujdesur për vajzën dhe për të siguruar të ardhura për familjen. Mbështetja që mori i dha mundësinë të ndiqte kurse, të zgjeronte biznesin e saj dhe të krijonte mundësi të reja për veten dhe vajzën.Krahas videos, Delegacioni i BE-së në Shqipëri thekson rëndësinë e solidaritetit dhe të mbështetjes për gratë që përpiqen të nisin një jetë të re pas dhunës.
“Ajo gjeti forcën për ta nisur nga e para. Dikush i qëndroi pranë. Sot nisin 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore. Asnjë grua nuk duhet të jetojë me dhunën apo ta përballojë e vetme atë”, shkruan Delegacioni i BE-së.
Fushata “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” nis çdo vit më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, dhe vijon deri më 10 dhjetor, në Ditën e të Drejtave të Njeriut.
