Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka regjistruar 18 procedime penale për muajin mars 2023. Në bilancin mujor, SPAK bën të ditur se nga 18 procedime, 7 janë për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe 11 procedime për vepra penale që lidhen me korrupsionin.
Bazuar në kërkesat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme, janë miratuar nga Gjykata e Posaçme masa sigurimi personal ndaj 20 personave nën hetim. Në kuadër të ligjit anti-mafia është dhënë nga gjykata 1(një) vendim sekuestrimi sipas të cilit janë sekuestruar 8 pasuri të paluajtshme dhe 2 llogari bankare me vlerë rreth 259.000 Euro.
Ndërsa nga gjykata është dhënë 1 vendim sekuestroje preventive me 2 pasuri të paluajtshme. Janë ekzekutuar gjithsej 5 vendime penale të formës së prerë; nga këto të gjitha vendimet kanë marrë formë të prerë në Gjykatën e Posaçme të Apelit , ku 3 vendime nga Gjykata e Posaçme e Apelit janë ndryshuar me shënimet përkatëse dhe 2 janë lënë në fuqi.
Janë nxjerrë gjithsej 48 urdhra ekzekutimi për 48 persona të dënuar. Për 2 persona Gjykata ka vendosur burgim të përjetshëm dhe për 1 person ka vendosur pafajësinë. Për 20 të dënuar, veç masave të dhëna me dënimet kryesore, është urdhëruar sipas vendimeve të gjykatës dhe sipas nenit 35 të Kodit Penal heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike.
Për 3 vendime penale të formës së prerë janë nxjerrë urdhëra ekzekutimi për disponimin e provave materiale ku është bërë konfiskimi apo kthimi i tyre sipas vendimmarrjes se gjykatës. Janë zbardhur dhe miratuar nga prokurorët e posaçëm 20 vendime për miratim takimesh të të paraburgosurve me familjarët e tyre dhe 2 vendime per lejimin e kryerjes së bisedave telefonike. Janë nxjerrë vendime nga prokurorët për përfundimin e dënimit alternativ dhe u është dërguar Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës ku kanë vendbanimin e tyre, për 2 shtetas.
