Një 33-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është kapur në Barcelonë dhe është ekstraduar drejt vendit tonë.
Bëhet fjalë për shtetasin me iniciale E. V. alias E. M., 33 vjeç, i lindur në Lezhë, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit “Mataro”, të finalizuar në dhjetor të vitit 2021.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë i ka caktuar 33-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Gjatë operacionit, në banesën e tij dhe të të afërmve të bashkëshortes së tij (prindërit dhe vëllai i bashkëshortes, të arrestuar në flagrancë në kuadër të këtij megaoperacioni), shërbimet e Policisë së Lezhës gjetën dhe sekuestruan 6 armë zjarri, 1 armë gjahu, 2 kuti me lëndë plasëse C4, shumën 88 900 euro, kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellëse, 2 radio si të Policisë, municion luftarak, 1 automjet dhe celularë.
Shtetasi E. V. alias E. M. iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
